Duka komenton Panuccin: Ja pse zgjodha një italian

20/07/2017 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka komentuar zgjedhjen e bërë për të vendosur në stolin e Kombëtares italianin Christian Panucci, si zëvendës të De Biasit.

Në një intervistë në “Wake Up” në Top Channel, ai ka shpjeguar arsyet që çuan në zgjedhjen e një tjetër trajneri italian për Kombëtaren kuqezi.
 
“80% e mendimit teknik në Federatë, por jo vetëm, ka qenë e mendimit se duhet të kishim një trajner italian, pasi shkolla e tyre ka sjellë trajnerë të suksesshëm. Italianët janë më të disiplinuarit në botë për futbollin dhe disiplina është shumë e rëndësishme në këtë sport. Kjo është një nga gjërat kryesore që të merrnim trajner italian”, tha Duka.

I pyetur se pse pikërisht është zgjedhur Panucci, duke qenë se në rolin e trajnerit ka pak eksperiencë, Duka e ka vlerësuar atë, madje e ka krahasuar edhe me Zidane.

“Ne e kemi pasur ëndërr ta shohim në televizor dhe jo më “live”. Është një nga emrat më të mëdhenj ndër vite të futbollit italian. Duhet ta kemi për nder që e kemi këtu. Ka bërë shumë mirë atje ku ka trajnuar. Nuk besoj që ka më pak se Zidane”, është shprehur Duka.

Më pas, kreu i FSHF shprehet se tashmë është më i shqetësuar, duke qenë se mbetet për t’u parë se si do të ecin gjërat me Panuccin në krye të Kombëtares.

Ai thotë se menjëherë pas zyrtarizimit të Panuccit ka marrë një mesazh urimi edhe nga Gianni De Biasi.

Top Channel