Champions, “dinjiteti” i Kukësit nuk mjafton. Fati favorizon Tiraspol

19/07/2017 00:00

Kukësi ka fituar mbrëmjen e së mërkurës ndeshjen e kthimit me Sheriff Tiraspol, por pa mundur të sigurojë kualifikimin për në raundin e mëtejshëm të eliminatoreve të Ligës së Kampioneve.

Ka qenë një ndeshje që ka nisur me një Kukës ofensiv, që ka arritur një avantazh të shpejtë ndaj kundërshtarit. Në minutën e ‘35 ka qenë Emini, i cili pasi ka depërtuar në zonën rivale ka mposhtur me lehtësi portierin duke e kaluar topin pas tij.

Ndërsa në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Emini është bërë sërish protagonist, por këtë herë përmes një asisti që është shfrytëzuar më së miri nga Pejiç, që ka dyfishuar avantazhin ndaj moldavëve. Por jo gjithçka ka mbaruar me kaq.

Në minutën e ’56, Byala ka shkurtuar diferencën e golave, njëkohësisht duke u dhënë avantazh të tijëve falë fitores së ndeshjes së parë.

Ndeshja ka vijuar me insistimin e Kukësit për të siguruar një tjetër gol, por fati duket se nuk ka qenë me të. Në minutën e ’81 Pejiç ka gabuar nga pika e 11-metërshit, duke çuar dëm mundësinë më të mirë për avantazhin e radhës.

Gjithashtu, pak para fundit të ndeshjes ka qenë sërish fati që ka shpëtuar moldavët, pasi një top i krosuar në zonë dhe i gjuajtur nga sulmuesit kuksianë ka prekur shtyllën. Më pas, vërshëllima e arbitrit i ka dhënë fund gjithçkaje.

Top Channel