Komentet e shtypit italian për emërimin e Panucci-t

19/07/2017 00:00

Emërimi i Christian Panucci-t në pankinën e Kombëtares shqiptare ledhatoi jo pak krenarinë e mediave të një vendi që konsiderohet shkollë botërore për trajningun. Shtypi i Apenineve i kushtoi jo pak rëndësi zgjedhjes së FSHF-së për të përçuar punën e mirë të Gianni De Biassit.

“Panucci trajner i Shqipërisë, me objektiv Europianin 2020”, thuhet në agjencinë italiane të lajmeve, “Ansa”, që rikujton edhe se paraardhësi italian shkroi historinë në stolin e kuqezinjve.

Në të njëjtën linjë edhe e përditshmja sportive “Corriere Dello Sport” që nënvizoi se eksperienca me Capellon në kombëtaren ruse, do të ndihmojë Christian Panucci-n edhe në aventurën e re përtej detit.

Ish-futbollisti i Milan, Real Madrid, Inter, Chelsea dhe shumë ekipeve të tjera do të kërkojë të lërë shenjë në eksperiencën e parë të një kalibri të tillë. Si trajner, Panucci deri më tani nuk ka patur as çerekun e kënaqësive që kishte si futbollist në fushë, në fillim te Livorno, më pas si zëvendës i Capello-s në Rusi e deri te Ternana, aventurë e cila zgjati vetëm 40 ditë.

E përditshmja torineze “Tuttosport” ritheksoi zgjedhjen italiane të bërë nga FSHF, ndërsa “Gazzetta Dello Sport” i kushtoi jo pak rëndësi barrës së madhe për të pasuar De Biasin pas nëj cikli që duroi thuajse 6 vjet me Shqipërinë.

Top Channel