“Telashet” e Madonas me ankandet

19/07/2017 00:00

Madona u përpoq të ndalojë daljen në ankand të një letre që Tupac Shakur i kishte dërguar nga burgu dhe të një shënimi ku “mbreteresha e popit” i cilësonte si tmerrësisht mediokre Ëhitney Huston dhe Sharon Stone.

Këngëtarja depozitoi një padi në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut për një urdhër të përkohshëm kufizues që do të pengojë ankandin e shtëpisë njujorkeze “Gotta Have It Collectibles”.

Në dokumentetet gjyqësore, Madona pretendon se deri në momentin që kishte lexuar raportimet e shtypit nuk kishte qenë në dijeni se objektet e listuara në ankand, përfshirë letrën e ish të dashurit të saj, Shakur nuk ishin më në zotërim të saj.

Objektet ju dorëzuan shtëpisë së ankandeve nga Darlene Lutz, të cilën Madona e përshkruan si një ish-shoqe e konsulente artistike, e cila siç thotë artistja, duke ja përvetësuar sendet pa leje apo dijeni, kishte tradhtuar besimin e saj në mënyrë mizore.

Një përfaqësues i shtëpisë së ankandeve dhe Lutz thanë në një deklaratë se përpjekja e Madones për të ndaluar shitjen ishte totalisht e pabazuar dhe e padenjë dhe se do të sfidonin pretendimet e saj në gjykatë.

Në një letër që Tupac Shakur i kishte shkruar Madonës në vitin 1995, ndërsa ai po kryente një dënim për sulme seksuale, rreperi thoshte se i kishte dhënë fund historisë me të pasi mendonte se lidhja me një grua të bardhë do të rrezikonte karrierën e tij.

Ndërkaq, në një shënim të fillimit të viteve ’90, këngëtarja shprehte shqetësimin që nuk kishte një karrierë muzikore si të Huston, ose Stone. “Jo sepse dua të jem si këto gra, sepse më mirë do të vdisja, por ato janë tmerrësisht mediokre dhe po mbahen si simbole të virtyteve”, shkruante Madona.

Mes 20 objekteve që ylli i muzikës kërkon të hiqen nga ankandi janë edhe një palë mbathje të saj, një libër i vjetër shënimesh, një krehër dhe foto personale.

Top Channel