Mjaftoi publikimi i një video në mediat sociale që një vajza të futet në telashe serioze. Minifundi dhe bluza me mëngë të shkurtra normalisht s’kanë asgjë të keqe, por jo nëse jeton në Arabinë Saudite.

Vajza në fjalë tashmë është arrestuar nga policia saudite dhe po merret në pyetje për shkeljen e rëndë që ka bërë.

Mediat saudite raportojnë se ajo i tha hetuesve se videot janë publikuar pa lejen e saj, por kjo nuk fshin krimin e rëndë moral që ajo ka bërë sipas ligjeve saudite. Shkelja duket kaq serioze, saqë çështja e vajzës i është kaluar prokurorisë së përgjithshme ne kryeqytetin Riad.

Sipas komisionit për promovimin e virturit dhe parandalimin e vesit, që ndryshe njihet si policia fetare, vajza me veshje ofenduese do të ndëshkohet sipas ligjit. Arabia Saudite respekton një interpretim mjaft strikt të ligjit islamik dhe gratë jo vetëm që s’mund të vishen si vajza në video, por duhet të jenë të mbuluara nga koka tek këmbët.

Mediat raportojnë se situata e vajzës, sikur të mos ishte mjaft e rënduar nga veshja e saj, përkeqësohet edhe më shumë nga fakti se video është xhiruar në qytetin historik dhe fetar Ushaykir. Çështja e vajzës ka shkaktuar një betejë të madhe në rrjetet sociale pasi shumë arabë e mbështesin atë dhe thonë se është absurd dënimi i saj për veshjen, por pjesa konservatore e publikut thotë se ajo duhet ndëshkuar.

Identiteti i vajzës s’është bërë i ditur, po në mediat sociale ajo është identifikuar nga përdoruesit si një modele që quhet Kulod.

Top Channel