Një peripeci të frikshme kanë kaluar pasagjerët e një avioni të kompanisë “British Airways”, me destinancion nga Londra drejt ishullit grek Skiathos.

Ngjarja, që është publikuar për arsye sigurie vetëm 24 orë më pas nga gazeta lokale “Tachidromos” ,  ka ndodhur në mesditën e së hënës, pak çaste para uljes së tij në aeroportin e ishullit që ndodhej në qendër të zonës së motit të keq, kur një rrufe ka goditur avionin me 45 pasagjerë.

Nga ndriçimi dhe zhurma në momentin e tronditjes ata dhe ekuipazhi kanë kuptuar se avioni është goditur nga rrufeja.

Me gjakftohtësi, piloti ka filluar të analizojë gjithë sistemet e avionit nëse funksiononin apo jo dhe pasi ka komunikuar me kullën e kontrollit ka vendosur që të mos ulet në aeroportin e ishullit, por tek ai i Athinës.

Pak çaste më vonë dhe pasi kishte lajmëruar edhe pasagjerët për ngjarjen dhe për ndryshimin e destinacionit, avioni është ulur pa problem në aeroportin “Eleftherios Venizellos” të kryeqytetit grek.

“British Airways” është kujdesur më pas që pasagjerët të fluturojnë drejt ishullit grek me një avion tjetër, pasi avioni në fjalë kishte pësuar dëme të cilat kërkonin seanca të gjata riparimi dhe inspektime nga specialistët.

Top Channel