Totti zyrtarisht tek Roma… si drejtues

18/07/2017 00:00

Francesco Totti merr zyrtarisht një rol drejtuesi në klubin e Romës duke i thënë lamtumirën përfundimtare karrierës 25-vjeçare si futbollist.

40-vjeçari, i cili e  kaloi të gjithë jetën e tij futbollistike tek verdhekuqtë e luajti ndeshjen e tij të fundit me këtë fanelë ndaj Genoas në kampionat, kur u aktivizua në pjesën e dytë, por pa i eliminuar mundësitë që ai të aktivizohej diku tjetër. Fakti që ai hyri në bordin drejtues të Romës do të thotë se Tottin nuk do ta shohim më në fushën e gjelbër.

Francesco Totti e bëri debutimin e tij në moshën 16-vjeçare në sfidën mes Romës e Brescias, sfidë që u fitua nga verdhekuqtë 2-0. Gjatë karrierës së tij 25-vjeçare Totti ka punuar me 16 trajnerë.

Në total Totti luajti 786 ndeshje me romanët duke shënuar 307 gola, 250 nga të cilat në Serinë A duke u renditur në vendin e dytë në histori pas Silvio Piolës, kampion bote me Italinë në 2006, trofetë e fituar nga Totti në karrierë me Romën janë të pakta; një titull i Serisë A në 2001 dhe 2 Kupa të Italisë.

“Hyj në bordin drejtues të klubit duke kërkuar të kuptoj se cili do të jetë roli im në të. Por në kartvizitën time do të jetë e shkruar vetëm Francesco, AS Roma”, tha Totti.

“28 maji do të mbetet një datë e shënuar për mua që do ta kujtoj gjithnjë. Do të jetë e vështirë t’u shpjegoj njerëzve çfarë ndjeva atë ditë, u mbyll pjesa e jetës sime si futbollist, tani nis ajo si drejtues dhe unë shpresoj që të bëj të njëjtën gjë si në fushën e lojës”, vijoi ai.

Top Channel