Tour de France, Bauke Mollema fiton etapën e 15

17/07/2017 00:00

Bauke Mollema është fitues i etapës së 15 të Turit të Francës. Çiklisti i skuadrës Trek Segafredo pasi u bë pjesë e një grupi arratisës së etapës, në 20 km e fundit u shkëput nga të tjetër duke për të kaluar i pari vijën e finishit në Le Puy en Velay.

Në këtë etapë ishin 28 çiklistë që krijuan një shkëputje pas 10 km të para dhe deri në Col de Peyra Taillade ata kishin krijuar një diferencë prej më shumë se 7 minutash.

Pikërisht gjatë ngjitjes, Froome pati një problem me biçikletën e tij dhe qëndroi për të pritur skuadrën për ta ndihmuar. Një situatë nga e cila kërkoi të përfitojë skuadra AG2R  e Romain Bardet që nisi sulmin e saj. Por Froome falë punës së Team Sky e sidomos Mikel Landës arriti ta arrijë francezin dhe rivalin tjetër të tij Aru kur kishte mbetur edhe 1 km nga kjo pjesë malore e etapës.

Në të njëjtën kohë, në këtë pikë u pa edhe një ndarje e grupit kryesues që u reduktua në vetëm 10 çiklistë. Momenti vendimtar i etapës së 15 ishte ai 20 km të fundit, kur Mollema bëri një sulm perfekt në një pjesë zbritje duke fituar sekonda të vlefshme kundrejt çiklistëve të tjerë me të cilët kishte ndërmarrë këtë arrati. Holandezi e ruajti me mjeshtëri pozicionin e tij për të regjistruar fitoren e tij të parë në Turin e Francës. Italiani Ulissi u rendit i dyti me 20 sekonda më shumë duke lënë pas francezin Gallopin.

Në renditjen e përgjithshme, Froome kryeson me 18 sekonda më shumë se Aru në vendin e dytë, ndërkohë që i treti është Bardet me 23 sekonda më shumë se britaniku. Alberto Contador është ngjitur në vendin e nëntë me 5 minuta e 37 sekonda më shumë. Ndërsa që Quintana që në etapën e 15 humbi më shumë se 2 minuta kundrejt grupit kryesues, zbriti në vendin e 11 me 6 minuta e 16 sekonda më shumë se Froome.

Top Channel