Pas temperaturave të larta dhe të nxehtit përvëlues, një valë e keqe moti me emrin e koduar “Meduza” ka goditur pjesën më të madhe të Greqisë, me reshje të rrëmbyera shiu , fenomene të tejskajshme natyrore dhe temperatura të ulëta për stinën.

Në zonën e Mecovos, Zagorit dhe Konices pranë kufijve shqiptare, janë shkaktuar dëme në akset rrugore nacionale që janë bllokuar në shumë vende nga rrëshqitjet e shkëmbinjve, ndërsa sasia e breshërit që ka rënë në Mecovo ishte 30 cm.

Ptolemaidha dhe Larisa në Greqinë qendrore janë përmbytur nga shirat e rrëmbyer e të vazhdueshëm të shoqëruara me stuhi dhe dhjetëra familje kanë telefonuar repartet e zjarrfikësve për të kërkuar ndihmë, ndërsa ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të rrufeve të panumërta.

Në shumë zona të Axaias, pranë Patras janë shkaktuar edhe zjarre nga rrufetë, por për shkak të shiut të dendur ato janë shuar shpejt.

Meteorologët bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një vjeshtë të vogël në gjirin e verës që ka sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave, sidomos në rajonin e Maqedonisë Perëndimore ku termometri ka zbritur poshtë 10 gradë celsius, ndërsa edhe në Selanik temperatura në mëngjes ka qenë 17 gradë celsius.

Kushtet ekstreme të motit, që ndikojnë në pothuajse të gjithë territorin e Greqisë, pritet të intensifikohen gjatë gjithë ditës së hënë, veçanërisht në zonat e Maqedonisë Qendrore, ne Halkidhiki dhe Pieria pranë Selanikut, ne Thesali, ne ishujt Sporadas, në Greqinë Qendrore, në pjesët veriore të Peloponezit, por edhe në rajonin e Athinës.

Fenomeni do të fillojë të dobësohet nga mëngjesi i së martës dhe të mërkurën, në gjithë vendin do të ketë përsëri verë.

Top Channel