Inter humb në miqësore, Spalletti nuk e merr seriozisht

15/07/2017 00:00

Interi ka humbur me rezultatin 1-2, në miqësoren e luajtur ndaj gjermanëve të Nuremberg, të cilët militojnë në Bundesligën e dytë.

Gjithçka ndodhi brenda minutës së 55 dhe 65 të ndeshjes, ku gjermanët shënuan dy herë me anë të Gislason dhe Ishak, ndërsa zikaltrit ngushtuan diferncën me anë të Eder, pas një asisti të brazilianit Gabriel Barbosa.

Por, duket se trajneri i Interit, Luciano Spalletti nuk e merr aspak seriozisht këtë humbje dhe vlerëson paraqitjen e të tijve.

“E rëndësishme ishte që të mos dëmtohej asnjë nga lojtarët dhe këtë e arritëm. E dinim që do të ishte e vështirë pasi djemtë i kanë këmbët e rënduara nga përgatitja, ndërsa gjermanët kanë filluar stërvitjen shumë më herët se ne. Pësuam dy gola, nga dy  gabime në pasim, që erdhën si pasojë e këmbëve të lodhura, por taktikisht pashë gjëra të mira”, tha Spalletti.

Trajneri zikaltër nuk foli ëpr merkaton, por dha sinjale se ka arritur të skicojë në mendjen e tij, futbollistët te të cilët do të mbështetet në sezonin e ardhshëm.

“Shpresoj që në Kinë të jemi 20 futbollistë, sepse duhet të shmangim aktivizimet më të gajta se 60 minuta, pasi mund të na dëmtohen lojtarët. Tani kam filluar të kem një ide më të qartë për ekipin dhe atë se çfarë duhet të ndryshojmë apo të përmirësojmë. E kuptoj që futbolli është biznes dhe duhen rezultatet, por në këtë fazë, më intereson më tepër përgatitja e ekipit sesa fitorja e miqësoreve”, u shpreh tekniku zikaltër.

Top Channel