Rekuperim rekord, Ibra mbetet te United

15/07/2017 00:00

Prokuratori i tij Mino Raiola e ka bërë të shëtisë gjysmën e Europës duke ndërruar shpesh fanela, në kontrata gjithmonë në rritje në aspektin financiar. Por, këtë herë duket se i njëjti superagjent po punon që Zlatan Ibrahimovic të qëndrojë te Manchester United të paktën edhe një sezon.

“Djajtë e Kuq” vendosën të mos e aktivizonin opsionin e rinovimit të akordit me Ibrën pas dëmtimit të rëndë të pësuar në Europa League, por rekuperimi në kohë rekord i sulmuesit me origjinë boshnjake i ka ndryshuar mendjen. “Për të ardhmen time do të ketë shpejt një njoftim të rëndësishëm e mjaft të madh”, tha Zlatan në daljen nga restoranti “Tattu” në Mançester.
 
Zlatan Ibrahimovic po stërvitet në qendrën e klubit, por mund të mos largohet fare prej andej. Këtë e ka lënë të kuptohet trajneri i skuadrës angleze, Jose Mourinho, gjatë një konference për shtyp në Los Angeles. Portugezi, i cili një vit më parë e solli suedezin në “Old Trafford”, ka deklaruar se ekziston mundësia që 35-vjeçari të qëndrojë te Manchester United.

“Ne i kemi hapur derën që të rekuperohet, Carrington është i hapur për të. Në të njëjtën kohë, le të marrim një vendim që na bën të gjithëve të lumtur dhe nëse ky vendim për të është që të qëndrojë dhe për ne të presim, duhet të shohim deri në dhjetor”, tha Mourinho.

Ibrahimovic kërkohet nga disa ekipe amerikane dhe kineze, gati ta mbulojnë me miliona vetëm për të patur në radhët e tyre një emër që garanton stadiumet plot, gola dhe shitje masive fanelash.

Top Channel