Dalbert: Dua vetëm Interin

14/07/2017 00:00

Ndonëse mes dy klubeve duket se mungon akoma akordi, mbrojtësi brazilian i Nicës, Dalbert ka dalë hapur, duke konfirmuar dëshirën për t’iu bashkuar zikaltërve.

“Dua vetëm zikaltrit. Është një ofertë e parezistueshme për mua, por edhe për klubin kuqezi, ndaj shpresoj që në ditët e ardhshme të marrë zgjidhje kjo çështje. Ka qenë e vështirë të vendosja për t’u larguar, por dëshira ime është të ndjek projektet e reja dhe ai i Interit më tërheq jashtë mase”, tha Dalbert.

Nica kërkon 25 milionë euro për mbrojtësin, ndërsa zikaltrit kanë ofruar vetëm 18 plus bonuse, gjithsesi, duket se palët janë pranë marrëveshjes.

Këtë e konfirmoi edhe drejtuesi i zikaltërve, Valter Sabatinni, i cili tha se francezët duan ta mbajnë lojtarin deri në përfundim të paraeliminatoreve të  Champions League dhe zikaltrit kanë vendosur të respektojnë këtë kërkesë të tyre.

Por, nga ana tjetër, vetë mbrojtësi brazilian duket se nuk e ndien më veten pjesë të klubit francez dhe ka folur si një ish, duke i përshëndetur të gjithë.

“Ka qenë një sezon i mrekullueshëm, për mua dhe për të gjithë skuadrën. Pikërisht për këtë arsye, drejt meje kanë ardhur një sërë ofertash, ku mund të veçoj atë të Interit dhe Liverpool-it, por vendosa të zgjedh atë zikaltër, i nxitur edhe nga projekti i tyre interesant. Kam qenë shumë i lumtur në Francë dhe do t’ju jem mirënjohës gjithmonë klubit dhe tifozëve”, tha mbrojtësi brazilian.

Top Channel