Aubameyang, në garë edhe Liverpool e Chelsea

14/07/2017 00:00

Pierre-Emerick Aubameyang po lakmohet edhe nga Chelsea e Liverpool. Sipas tabloidit “The Sun”, të dy klubet e Premier League kanë hyrë në kontakt me agjentin e sulmuesit të Borussia Dortmund, duke i bërë një ofertë prej 65 milionë paund.

Liverpool është skuadra që ka një avantazh kundrejt “Bluve” të Londrës, duke qenë se në pankinë është Jurgen Klopp, me të cilin Aubameyang ka punuar kur gjermani ishte trajner i verdhezinjve.

Problemi është se, “The Reds” duhet të plotësojnë pretendimet e futbollistit për një pagë prej 180 mijë paundësh në javë, gjë që i jep edhe më shumë mundësi Chelseat në këtë garë.

Por edhe blutë kanë problemet e tyre në këtë pikë. Kampionët e Anglisë duhet që fillimisht të gjejnë një destinacion për Diego Costën, përpara se të tentojnë blerjen e një sulmuesi tjetër, që në këtë rast është Aubameyang.

Pierre-Emerick Aubameyang ka zhvilluar në total 128 ndeshje në Bundesligën gjermane, me fanellën e Borussia Dortmund, duke shënuar 85 gola.

Top Channel