Jehona e samitit të Triestes vazhdon, e këtë herë është “The Economist” që analizon marrëdhënien e BE-së me Ballkanin, pas takimit të rëndësishëm të konsideruar nga disa si parathënie të anëtarësimit të shumëdëshiruar nga vendet e rajonit, e nga disa të tjerë si një ndihmë që jepet për ta lënë zonën në “dhomë pritjeje”.

“BE-ja – shkruan gazeta britanike, – duhet t’i tregojë Ballkanit se e ka ende mundësinë për aderim. Që në vitin 2003, shteteve të rajonit iu tha se e ardhmja e tyre gjendet në Bashkimin Europian”, kujton “The Economist”.

Megjithatë, ditët e shpresës për Serbinë dhe aspirantët e tjerë, Shqipërinë, Kosovën, Bosnjen, Maqedoninë dhe Malin e Zi janë venitur. Të shqetësuar nga grindjet pafund që shënjojnë politikën ballkanike, të përcëlluar nga ai që duket se ishte një anëtarësim i parakohshëm i Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007, udhëheqësit europianë kanë pak oreks për ta shtrirë klubin e tyre edhe më shumë, sidomos tani që “Brexit” i shtrëngon ta mbajnë nën frè zgjerimin.

“Ballkani ka problematikat e veta, – nënvizon gazeta prestigjioze, – të cilave i shtohet edhe rreziku i ndikimit malinj të fuqive të jashtme”.

Por lidhjet e tij ekonomike, politike dhe kulturore me pjesën tjetër të Europës e lënë në hije Rusinë, Turqinë, e të ngjashmet e tyre. Shumica e krerëve atje e dinë se fati i tyre është BE-ja.

“Kjo krijon hapësirë për një qasje dyfishe, – theksohet në artikull. – Ashpërsi qëndrimi me qeveritë që tolerojnë mungesën e ligjit dhe ripërtëritje të angazhimit të zgjerimit”.

“Lipset të davaritet skepticizmi i rrënjosur pas vitesh të tëra zhgënjimi, – përfundon “The Economist”, – e ndoshta nëse i rifiton zgjedhjet e muajit shtator, Kancelarja Angela Merkel mund të shpenzojë pak kapital diplomatik në Ballkan”.

Top Channel