Nëse kalon Sheriffin, Kukësi përballë Qarabagut të Agollit

14/07/2017 00:00

Është hedhur në Nyon të Zvicrës shorti për raundin e tretë paraeliminator të Champions Leagues dhe Europa Leagues.

Edhe pse një pjesë e skuadrave ende nuk janë kualifikuar ende, përfshirë këtu edhe Kukësin, ata kanë mësuar kundërshtarin e radhës që do të kenë në rast kualifikimi.

Për kampionët e Shqipërisë të cilët u mundën në ndeshjen e parë në Moldavi nga Sheriff Tiraspol 1-0, kundërshtari i radhës mund të jetë Qarabag i Ansi Agollit.

Por deri në mbërritje tek skuadra e kapitenit të kombëtares sonë, ekipit të Ernest Gjokës do t’i duhet edhe një paraqitje si ajo e së martës me shpresën se mund të përmbysin rezultatin e ndeshjes së parë.

Ndeshja e kthimit mes Kukësit dhe Sheriff do të luhet ditën e mërkurë ne “Elbasan Arena”. Ndërkohë që Skënderbeu në Europa League, duket të ketë më shumë shanse në letër falë barazimit 1-1 në Kazakistan me Kairatin.

Skuadrës së Ilir Dajës do t’i duhet një tjetër ndeshje si ajo e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes për të kaluar në raundin tjetër ku duhet të përballet me fituesin e çiftit Shemrok Rovers dhe Mllada Boleslav. Ndeshja e kthimit për skuadrën e Skënderbeut do të jetë ditën e enjte.

Top Channel