Shkëndija leksion Helsinkit, fiton 3-1

13/07/2017 00:00

Shkëndija fluturon në Europë me Besart Ibraimin. Kuqezinjtë tetovarë iu falën një 3 golëshi të sulmuesit të tyre kryesor duke mposhtur 3-1 finlandezët e Hjk Helsinkit në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Europa League, me Shkëndijën që hodhi një hap të sigurt drejt avancimit në fazën tjetër.

Në Strumicë, sfida nisi me dominimin e vendasve. Në të 12-tën erdhi edhe rreziku i parë në portën e Helsinkit por tentativa e Ibraimit nga një pozicion i prirët mori kundërpërgjigjen e portierit mik Dahne. Në të 17-tën provoi edhe braziliani Stenio Junior por portieri gjerman i Helsinkit priti pa vështirësi. Në të 25-tën zëvendësim i detyruar për skuadrën shqiptare që luan në kampionatin maqedonas.

Mevlan Murati la fushën i dëmtuar ndërsa në vendin e tij e mori kroati Celikovic. Formacioni i Qatip Osmanit ishte më kërkues por tentativa nga limitet e zonës e Ibraimit në të 28-tën u ndal sërish nga portieri Dahne. Në momentin më të mirë të tyre kuqezinjtë u ndëshkuan. Në të 35-tën në të parin rast finlandezët e Helsinkit përfituan nga një gabim i Bejtullai që nxorri jashtë loje portierin Zahov duke zhbllokuar shifrat me Jallow.

Goli i disvatanazhit nuk demoralizoi Shkëndijën që u hodh e gjitha në sulm në kërkim të barazimit. Episodi deciziv i pjesës së parë, ishte ai i minutës së 44-t kur Pirinen pengoi brenda zone Marjan Radeskin. Gjyqtari kryesor nuk kishte dyshime duke akorduar 11-metërsh, penallti të cilën Besart Ibraimi e kthehu në gol me qetësi dhe klas. Me shifrat 1-1 përfundoi fraksioni i parë, ndërkohë që në pjesën e dytë kishte në fushë vetëm një skuadër dhe ajo ishte Shkëndija. Në të 54-tën Stenio Junior nuk gjeti portën në tentativën e tij me kokë, ndërsa 1 minutë më pas portieri Dahne dhe traversa i thanë jo golit të dytë të Ibraimit.

Përpjekjet e Shkëndijës megjithatë u shpërblyen në minutën e 59-të, kur pas një aksioni model të vendasve, kapiteni Hasani gjeti të lirë brenda zone Ibraimin i cili realizoi golin e dytë personal duke i dhënë epërsinë skuadrës së Qatip Osmanit. Në të 63-tën gjërat u bënë më të thjeshtë për Shkëndijën.

Pas një kundërsulmi të shpejtë të skuadrës tetovare Ibrahimi i vetëm përballë portierit u pengua nga Patronen, gjyqtari nuk kishte dyshime duke akorduar një tjetër 11-metërsh dhe këtë herë duke ndëshkuar me karton të kuq mbrojtësin e Helsinkit.

Ibraimi edhe njëherë kishte shënjestrën e duhur duke i çuar shifrat në 3-1. Në të 71-tën fati nuk ishte sërish me sulmuesi e përfaqësues së Maqedonisë i cili goditi shtyllën. Goli i 4-t nuk erdhi, por falë fitores 3-1, Shkëndija është shumë pranë kualifikimit në raundin e 3-të të Europa Leagues, të cilin mund ta sigurojë pas një jave në kryeqytetin e Finlandës.

Top Channel