Drama e Ajaksit, dalin rezultatet e ekzaminimit të talentit Nouri

13/07/2017 00:00

Mesfushori i Ajaksit të Amsterdamit, Abdelhak Nouri do të vuajë përgjithmonë dëmtime serioze në tru, pas një incidenti fatkeq në miqësoren ndaj Werder Bremen fundjavën e kaluar.

Bota e futbollit është bashkuar rreth dramës së talentit të ekipit holandez, që u regjistrua në Hipah, gjatë fazës përgatitore në Austri. Tashmë, analizat e specializuara dhanë diagnozën e saktë dhe të rëndë mbi 20-vjeçarin.

Edhe pse Nouri e mori veten nga incidenti, që i ndali për pak sekonda zemrën, doktorët nuk ishin në gjendje të ekzaminonin trurin e futbollistit, derisa ai doli nga koma e induktuar. Spitali i Innsbruckut në Austri ishte fillimisht optimist pas skanimeve, por këtë të enjte u konfirmuan dhe zhvillimet tragjike.

“Jemi thellësisht të trishtuar që Abdelhak Nouri do të vuajë dëmtime të përhershme dhe serioze në tru. Lutjet dhe mendimet tona shkojnë për të dhe familjen”, shkruan skuadra e Ajaksit në një komunikatë. 20-vjeçari i lindur në Amsterdam shihej si një premtim i madh i futbollit holandez, por me të gjitha gjasat nuk do të prekë më fushat e lojës.

Top Channel