Europa League, Skënderbeu barazim me vlera në Kazakistan

13/07/2017 00:00

Ndeshja e parë e Skënderbeut në arenën e futbollit kontinental rezultoi me një barazim 1-1 në Kazakistan ndaj vendasve të Kairat Almati’.

6300 kilometra larg shtëpisë, korçarët bënë një ndeshje mbrojtëse por pozitive në transfertë ndaj rivalëve të fortë që rezervoi turi i dytë kualifikues i Europa Ligës, dhe barazimi me gola i kthen në favoritë për kualifikimin.

Një mungesë vëmendjeje në prapavijë në minutën e 9 i dha kazakëve avantazhin kur zbritja nga e majta e sulmit të Kairatit solli dhe konkluzionin e Gohu’ me të majtën. Skënderbeu u përgjigj me disa tentativa të Latifit dhe Takut që mbajtën jo pak nën presionin ekipin e Almati’ por fatkeqësisht pa u finalizuar dot në rrjetë.

Kazakët duket se kërkuan të administrojnë rezultatin ndërsa minutat kalonin, por skuadra shqiptare vuri sërish në vështirësi vendasit.

Nimaga dhe Latifi shpërdoruan të tjera shanse në “Ortalik Stadion”, por barazimi nuk vonoi. Mesfushori malian Nimaga përfitoi nga një rrëmujë në zonë pas krosit të Vangjelit për të shënuar në portën e Pokatilov. Kualifikimi do të vendoset pas një jave në Korçë dhe Skënderbeu i mjafton tashmë një barazim pa gola.

Top Channel