Sikur të mos mjaftonte fakti që u kapën sërish pas arratisë, dy të burgosur në Bali u detyruan nga autoritetet që të kthehen në burgun nga i cili ia mbathën, për të rindërtuar skenën e arratisjes.

Dy të burgosurit, indiani Sayed Mohammed Said dhe bullgari Dimitar Nikolov u detyruan të jenë aktorë në skenën e arratisë së tyre, për të shpjeguar atë që ndodhi para kamerave.

Katër të burgosur u arratisën më 18 qershor nga Burgu “Kerobokan” dhe vetëm dy prej tyre janë ndaluar deri tani. Policia indoneziane tha se ka edhe rreth 30 skena krimi, që do të rindërtohen nga të burgosurit, të cilët duket që nuk e pëlqjenë fare punë e aktorit me zor, sidomos të gjërave që kanë bërë vet.

Një nga skenat e rikrijuara më herët ishte ajo në Aeroportin e Balit, ku një ish-i burgosur bleu bileta për t’u arratisur. Në riinskenimin e arratisë, dy të burgosurit treguan rrugën që ndoqën për t’ia mbathur, përfshirë hapjen e një grope për të kaluar, një mur dhe një tunel që besohet se ishte ndërtuar më herët dhe shërbente për të futur drogë brenda në burg.

Rindërtimet e skenave të krimit, nga personat që i kanë kryer, janë të zakonshme në Indonezi dhe konsiderohen si një pjesë e ndëshkimit për autorët e tyre.

Top Channel