Ministri i Jashtëm i Malit të Zi ishte ndër të parët që e hodhi idenë, e të tjerët e mbështetën pas tij: Samiti i Triestes dhe rezultatet e tij shënojnë një ngjarje të jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor, por blloku nuk duhet të mjaftohet me kaq e t’ia lërë harresës perspektivën e anëtarësimit.

Kryeministri italian, Paolo Gentiloni u bë njëri prej zërave që këmbëngulin se BE-ja duhet ta lërë portën e saj të hapur për vendet e rajonit, në të kundërt – u shpreh ai, – Rusia dhe fuqi të tjera globale do të ndërhyjnë duke rritur ndikimin e tyre.

“Besoj se mesazhi themelor është i fortë e i qartë: Integrimi mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor është një zgjedhje strategjike e pakthyeshme, e objektivi i Italisë është ta bëjë atë më të fortë e më të mundshëm, sa më shpejt që të jetë e mundur. E dimë të gjithë besoj, e jo thjesht për arsye historike, por për arsye realiste, se marrëdhënia mes këtij rajoni dhe BE-së është e një rëndësie kyçe për stabilitetin, sigurinë, paqen dhe të ardhmen tonë”, tha Paolo Gentiloni.

Përpjekjet ruse për ndikim kanë qenë më të dukshme në Serbi, e cila mbetet aleatja e fundit e Moskës në rajon, pasi partneri historik, Mali i Zi bëri një kthesë vendimtare me anëtarësimin në NATO.

Gentiloni nuk e përmendi Rusinë në emër, por tha se Italia dhe Gjermania, partnerët më të mëdhenj tregtarë të Ballkanit, nuk mund të lejojnë që kombe të tjera të mbushin boshllëkun që do të krijohej nëse BE-ja mbetet për një kohë të papërcaktuar e mbyllur për anëtarët e rinj.

Samiti i radhës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Britani, vend që u shpreh i gatshëm të organizojë takimin, edhe pse vet është në rrugën e largimit nga blloku europian.

Mosmarrëveshjet mes shteteve ballkanike nuk kufizohen vetëm tek ato mes Kosovës e Serbisë, apo Maqedonisë dhe Greqisë, por edhe dy vende anëtare të bllokut, Sllovenia dhe Kroacia janë të përfshira në një zënkë të vjetër territoriale, që ende nuk ka marrë zgjidhje.

Top Channel