Merkel flet për stabilitet: Zhvillim Ballkanit për t’iu afruar BE-së

13/07/2017 00:00

“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është stabilitet për ne”, deklaroi Kancelarja gjermane Angela Merkel, në përfundimin e samitit të Triestes.

Ajo çfarë u nënkuptua në takimin e nivelit të lartë, mbajtur në një qytet që simbolizonte një urë mes bllokut dhe rajonit, është se BE-ja do ta vërë në lëvizje këtë të fundit për bashkëpunimin ekonomik, por kjo është edhe në vet interesin e saj.

Rezultat i nismës madhore, pjesë e “Procesit të Berlinit” të lançuar nga Merkel në vitin 2014, është një zonë e përbashkët ekonomike, plane konkrete investimesh dhe projekte infrastrukture. Bashkimi Europian po investon shuma të mëdha parash për të mbështetur ekonominë e Ballkanit dhe rrugën e tij drejt afrimit të mëtejshëm me bllokun.

Sipas ekspertëve, qëllimi parësor i një lëvizjeje të tillë është të zgjidhen konfliktet e të frenohet emigracioni i dhjetëra mijëra të rinjve dhe forcave të kualifikuara të punës. Flitet deri për një të ashtuquajtur “Plan Marshall”. E një rëndësi kyçe në këtë kontekst është qëndrueshmëria ekonomike, e kjo në një kohë konfliktesh që po e pengojnë rrugën e Ballkanit drejt BE-së. Merkel, këtë e di mirë.

“Stabiliteti në këtë rajon është stabilitet politik edhe për ne. Është detyra jonë e përbashkët të kujdesemi, që këto shtete të kenë zhvillim të mirë dhe që hap pas hapi, ato të mund të lëvizin në drejtim të BE-së”, tha Merkel.

Çështja e perspektives së anëtarësimit duket se është lënë mënjanë. Ajo që dihet me siguri është së, për disa kohë nuk do të ketë më anëtarësime të reja dhe mjaft ekspertë e shohin unionin ekonomik si një lloj ngushëllimi, apo siç e quante “Deutsche Ëelle”, “dhomën e pritjes për pranimin në klub”.

Vet deklarata e komisionerit Johannes Hahn, se po negociohet me Serbinë e Malin e Zi, ndërsa të tjerët janë larg, e dëshmon këtë më së miri. Por bashkëpunimi ekonomik krijon besim të ri, e kjo është e nevojshme në një rajon ende të pashkëputur plotësisht nga armiqësitë e së shkuarës.

Top Channel