Trukimet e miqësoreve, edhe “Sportradar” fokusohet te Kukësi

12/07/2017 00:00

Miqësoret përgatitore për kupat europiane ishin kërkuar me ngulm nga stafi teknik i Kukësit, për të përgatitur një përfaqësim dinjitoz në garat kontinentale, por rezultatet e dyshimta kanë kthyer fokusin te kampionët e Shqipërisë.

Pas marrjes në pyetje në Vjenë të trajnerit dhe disa lojtarëve mbi trukimin potencial të ndeshjeve, erdhën dyshimet e “Federbet”, e së fundmi edhe “Sportradar”.

Agjencia multimilionëshe me seli në St. Gallen të Zvicrës analizon prej vitesh të dhënat statistikore financiare e sportive, me fokus integritetin e ekipeve dhe lojtarëve dhe bastet e dyshimta. Në faqen e saj në “Tëitter”, “Sportradar” konfirmoi se po punon me autoritetet përkatëse dhe policinë për të sqaruar se çfarë ka ndodhur me ndeshjet e Kukësit.

Në dukje, kjo nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Jo fakte dhe prova për trukime, e vetëm kaq. Por në të kaluarën, nëse “Sportradar” ngrinte dyshime, kjo materializohej shpejt edhe në një hetim zyrtar nga UEFA. Nëse ndodh kjo, Kukësi do të shkojë në gjurmët e Skënderbeut, që u dënua me përjashtim nga garat europiane dhe me heqjen e titullit.

Top Channel