“Deloitte”: Rriten të ardhurat e klubeve të Premier League

12/07/2017 00:00

Të ardhurat e klubeve të Premier League pësuan një rritje me 9%, për të kapur shifrën e 3.6 miliardë paund. Kjo është ajo që zbulohet nga analiza e kryer nga agjencia e kontabilitetit “Deloitte” për sezonin  2015-2016.

Sipas kësaj agjencie, nga kjo shifër, 1.9 mld paund janë siguruar nga të drejtat e transmetimit televiziv. “Deloitte” thekson gjithashtu se, për të tretin sezon radhazi, klubet e Premier League kanë regjistruar një fitim operativ prej 500 milionë paund, por kanë bërë edhe më shumë shpenzime për pagat, të cilat janë rritur në masën 12%, në 2.3 miliardë paund.

Sipas “Deloitte”, kjo rritje e të ardhurave nga transmetimet televizive u ndikua shumë nga fondi i akorduar nga UEFA për klubet e Premier League, një fond ky që është rritur me 100 milionë paund.

Përsa i përket futbollit europian, në total gjatë sezonit 2015-2016 klubet në kampionatet e kontinentit të vjetër kanë mundur të regjistrojnë të ardhura prej 22 miliardë paund, 13% më shumë sesa në sezonin 2014/2015. Edhe në këtë rast, efektin më të madh e pati e drejta e transmetimit e Kampionatit Europian të Francës.

“Deloitte” publikon detaje të tjera, siç është ajo e të ardhurave të 5 kampionateve më të rëndësishme të Europës: Angli, Itali, Spanjë, Gjermani e Francë. Sipas saj, niveli i të ardhurave për këto kampionate është rritur me 12%, në 11.9 miliardë paund.

Klubet e Premier League mbajnë një rekord, edhe përsa i përket shpenzimeve në merkaton e transferimeve, të cilat kanë pësuar një rritje prej 20%, në 31.3 miliardë paund.

Top Channel