“Mbreti” Federer, 100 sfida në “Wimbledon”

12/07/2017 00:00

Ishte 22 qershori i vitit 1999, kur Roger Federer, atëherë vetëm 17 vjeç, luante në fushën me numrin 6 dhe humbiste sfidën e parë në “Wimbledon” kundër çekut Jiri Novak. Edhe pse me vështirësi, pasi u deshën 5 sete në total (6-3, 3-6, 4-6, 6-3 dhe 6-4), në një sfidë ku “Rogerino” numëroi 8 ace, por edhe 6 faulle të dyfishta.

Sot, e mërkura e 12 korrikut 2017, pas plot 18 vitesh, Roger Federer do të luajë ndaj Milos Raoniç sfidën e tij numër 100 në këtë kompeticion, duke u bërë kështu tenisti i dytë që arrin këtë limit pas Jimmy Connors, që më 29 qershor të vitit 1991 mposhti në raundin e dytë Aaron Krickstein, në atë që rezulton edhe si sfida e fundit e fituar nga “Jimbo” në “Wimbledon”.

Sa i përket femrave, këtë objektiv e kanë arritur Billie Jean King, Chris Evert, Martina Navratilova dhe Venus Williams, pikërisht një ditë më parë.

Nga këto 100 sfida të luajtura në “Wimbledon”, me një bilanc prej 88 fitoresh dhe 11 humbjesh, Federer ka luajtur 79 (80 bashkë me të sotmen) në fushën qendrore, 13 të tjera në fushën numër 1, dy në fushën numër 13, 4 në fushën 2 dhe vetëm një në fushën 6.

Përballë “Mbretit Roger” janë vënë plot 75 kundërshtarë, por sfida që është përsëritur më së shumti është ajo ndaj Andy Roddick: plot 4 herë, një gjysmëfinale e vitit 2003 dhe 3 finale të viteve 2004, 2005 dhe 2009. Tre janë sfidat e luajtura ndaj Mario Ançiç, Novak Djokoviç, Lleyton Hewitt, Rafael Nadal dhe Milos Raoniç (bashkë me të sotmen). Dy përballje ka shënuar kundër Tomas Berdych, Jonas Bjorkman, Alejandro Falla, Juan Carlos Ferrero, Richard Gasquet, Tim Henman, Ivo Karloviç, Xavier Malisse, Andy Murray, Marat Safin, Robin Soderling e Mikhail Youzhny.

Roger Federer është udhëheqës edhe për numrin e sfidave të fituara: plot 88 të tilla (e para më 25 qershor 2001 kundër Cristophe Rochus, 4 më shumë sesa Jimmy Connors, që e ka mbajtur këtë rekord deri në turin e parë të këtij viti për plot 33 vite, pasi e kishte arritur në vitin 1984 kundrejt legjendarit Arthur Gore, fituesi i plot 64 sfidave mes viteve 1888 dhe 1927.

Top Channel