“Mbreti” i merkatos, Milan debuton me “poker” në miqësore

11/07/2017 00:00

Vetëm 77 km larg “San Siro”-s, në stadiumin “Cornaredo” të Luganos ku kishte 6330 ndjekës të pranishëm, Milani i Montellës dhe i blerjeve të reja nga pronarët kinezë ka debutuar me një “poker” triumfues në ndeshjen e parë miqësore të sezonit të ri.

Kuqezinjtë, që kanë afruar 7 lojtarë deri më tani, por që aktivizoi vetëm 5 prej tyre nga fillimi si titullarë, e kalon me entuziazëm testin e parë. Megjithatë, edhe pse pritej me padurim të shihej forma e lojtarëve të bashkuar së fundi me skuadrën, për “djallin” shënuan dy lojtarë produkt i akademisë së Milanit, Patrick Cutrone, 19 vjeç, e më pas Giovanni Crociata. Rezultatin e thelluan më tej Jose Sosa, njëri prej atyre që pritet të largohet, dhe Gustavo Gomez, ende i pasigurtë nëse bën pjesë në planet e projektit të ri.

Munguan në këtë takim miqësor me Luganon Andrea Conti dhe Andre Silva, të cilët janë ende me pushime pas pjesëmarrjes në Europianin e moshave nën 21 vjeç dhe në Kupën e Konfederatave. Por Musacchio bëri një paraqitje të mirë në mbrojtje, në krah të Palettës, me Rodriguez në krahun e majtë, ndërsa Kessie u aktivizua si mesfushor i djathtë. Në mbështetje të sulmit ishin Borini nga e majta dhe Calhanoglu nga e djathta.

Top Channel