Përvjetori i Srebrenicës, pengesës mes serbëve e boshnjakëve

11/07/2017 00:00

Masakra e Srebrenicës ngelet ende pengesa më e madhe mes serbëve dhe boshnjakëve. Historia më e trishtë e rënies së Jugosllavisë mori 8.300 jetë meshkujsh dhe të rinjsh myslimanë në vitin 1995. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e shpalli masakrën kundër myslimanëve, nga ushtria e Republikës së Serbisë, si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit.

Serbia u ka kërkuar falje myslimanëve të Bosnjës disa herë dhe janë bërë nderime për viktimat, por nën hijen e mohimit dhe mospërmendjen e fjalës gjenocid. Shoqëria civile shpesh ka kërkuar që dita e masakrës të shpallet ditë kujtese në Serbi.

“Është e trishtë që kjo ditë nuk shënohet dhe ngelet vetëm një ide e shoqërisë civile, pasi politika nuk dëgjon kërkesat tona”, tha Anita Mitiç nga “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut”.

Familjarët e serbëve të vrarë në luftë thonë se, atyre u mohohet drejtësia. Ata duan që të dihet se, të parët që ishin viktima ishin serbët.

Në krahun tjetër të sheshit kryesor, disa aktivitete të tjera janë zhvilluar në nderim të viktimave myslimanë dhe për të vërtetën që të mos harrohet kurrë.

“Ky është një gjenocid dhe politikanët tanë do të duhet të mundësojnë të shprehim nderim për viktimat dhe të pranojnë një lloj përgjegjësie morale, duke e dënuar këtë akt”, tha më tej Anita Mitiç.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se ky është një krim që nuk duhet t’i ndodhë asnjë populli. Por në fakt, marrëdhëniet serbo-boshnjake duket se nuk kalojnë shpejt nga kujtesa në të ardhmen.

Top Channel