Partizani, pa trajner. Dorëhiqet Starova

11/07/2017 00:00

Sulejman Starova largohet nga posti i trajnerit të Partizanit. Tekniku 62-vjeçar paraqiti mbrëmjen e së hënës, në zyrat e presidentit Gazmend Demi, dorëheqjen e tij të parevokueshme nga kjo detyrë, të cilën e mori kur zëvendësoi italianin Sormani, në fillim të sezonit të kaluar.

Starova e mori vendimin për t’u larguar nga pankina e “demave të kuq”, një ditë pas kërkesës së bërë nga tifozët e kësaj skuadre, të cilët nuk e kapërdinë dot eliminimin në Europa League nga Botev Plovdiv, duke e etiketuar Starovën si fajtorin kryesor për rezultatet negative të Partizanit në dy ndeshjet me skuadrën bullgare.

Pavarësisht dorëheqjes si trajner, Starova do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit të Partizanit, pasi do të jetë në rolin e këshilltarit të presidentit Demi. Përsa i përket zëvendësuesit të Starovës, emri i përmendur më shumë është ai i Mladen Milinkoviç, që sezonin e kaluar drejtoi Luftëtarin.

Top Channel