Rooney, rikthim në ekipin “mëmë”: Te Everton për trofe

10/07/2017 00:00

Ish-kapiteni i Kombëtares angleze të futbollit Wayne Rooney formalizoi një rikthim emocionues në ekipin e fëmijërisë duke veshur sërish fanelën e Evertonit, e cila e nxori në futbollin që vlen. Ish-sulmuesi i Manchester United u prezantua me Tofees në një marrëveshje dy-vjeçare pas aventurës së shkëlqyer në “Old Trafford” ku numëroi 13 trofe.

Wayne Rooney tha se i bashkohet skuadrës së Goodison park për të rikthyer trofetë që mungojnë prej thuajse një dekade e gjysmë.

“Duket se tashmë Evertoni është në drejtimin e duhur dhe dua të jem pjesë e suksesit të ardhshëm. E kam mbajtur sekret për 13 vjet, por dua t’ju them se në shtëpi me fëmijët e mi, gjithmonë mbaja të veshur fanela të Evertonit”, tha sulmuesi anglez.

Wayne Rooney fitoi kopertinat  e mediave në moshën 16-vjeçare kur shënoi një supergol ndaj Arsenalit, çka i siguroi më pas një transferim rekord asokohe. Sulmuesi zhvilloi thuajse 550 ndeshje me “Djajtë e Kuq”, duke u bërë shënuesi më i mirë, e duke eklipsuar edhe një legjendë si Bobby Charlton.

Top Channel