Botërori i basketbollit, Kombëtarja shqiptare kërkon kualifikim

10/07/2017 00:00

Prej më se dy javësh Kombëtarja shqiptare e Basketbollit është grumbulluar në Tiranë për të përgatitur fazën paraeliminatore të Botërorit 2019. Në krye të kuqezinjve do të jetë sërish trajneri qipriot, Andonis Kostandinidhis, i cili për sezon të ri thekson një problem serioz të skuadrës sonë.

“Problemi më i madh që kemi në këto momente me kombëtaren që unë drejtoj është se na duhet që është në këto eliminatore ta fillojmë nga fillimi. Nga një vit më parë unë kam vetëm 3 apo 4 lojtarë, Ndoshta me disa lojtarë të rinj mund të them se niveli i skuadrës është përmirësuar, por këto eliminatore për ne janë shumë të rëndësishme pasi na duhet me doemos të kualifikohemi. Nga ana tjetër do të jetë e vështirë që në një kohë kaq të shkurtër të bësh kaq shumë lojtarë të rinj të luajnë bashkë”, shprehet Andonis Kostandinidhis, trajner i Kombëtares shqiptare të basketbollit.

Federata Botërore e Basketbollit ka vendosur që të ndajë skuadrat që nga nëntori i ardhshëm në dy grupe, A dhe B, që do të jenë si një lloj kampionati ku tek grupi A do të jenë skuadrat më të forta dhe tek grupi B ato të një niveli më të ulët. Për këtë arsye, Kostandinidhis pretendon që të renditet mes 2 vendeve të para që të kualifikohet për më tej dhe njëkohësisht t’i japë shansin skuadrës sonë që të qëndrojë në grupin A.

“Nga këto ndeshje nuk kemi zgjedhje tjetër. Mund të them se këtu në Tiranë ne mund të mundim si Holandën ashtu edhe Austrinë. Një vit më parë ishim shumë pranë fitores edhe me Gjeorgjinë këtu dhe zhvilluam ndeshje të mira me Malin e Zi. Nëse luajmë ashtu përse jo”, u shpreh Andonis Kostandinidhis.

Në këto ndeshje paraeliminatore të Botërorit, Shqipëria do të jetë në të njëjtin grup me Holandën dhe Austrinë. Më datën 22 korrik është parashikuar një ndeshje miqësore me Kosovën, në Tiranë. Ndërkohë, nga data 24, deri më 29 korrik 2017 do të udhëtohet drejt Armenisë për pjesëmarrjen në një turne miqësor. Ndërkohë që ndeshjet zyrtare nisin më 2 gusht.

Top Channel