Rudiger te Chelsea, kampionët “blindojnë” mbrojtjen!

10/07/2017 00:00

Nuk dukej se kishte shumë ndryshime mes trajnerit Antonio Conte dhe futbollistëve të Chelsea-t në stërvitjen e fundit në qendrën e kampionëve të Anglisë. Ngarkesë maksimale si për teknikun italian ashtu dhe për kontigjentin e bluve që tashmë është pasuruar me një tjetër element cilësor si Antonio Rudiger.

Qendërmbrojtësi gjerman firmosi me ekipin e Premier Ligës një kontratë 5-vjeçare pas dy sezonesh pozitive me Romën në serinë A.

“Për mua është një nder të përfaqësoj Chelsea-n pasi jo çdo futbollist ka shansin t’i bashkohet një klubi kaq të madh”, tha futbollisti. Mbrojtësi gjerman ka kushtuar 31 milionë paund dhe do të mbajë fanelën me numrin 2 te skuadra londineze.

Antonio Rudiger është firma e dytë e kampionëve të Premier Ligës, dhe gjithsesi larg pritshmërive të tifozëve që presin diçka më shumë nga manjati rus Abramovic, më tepër sesa mbrojtësi gjerman dhe portieri pa kontratë Willy Caballero.

Top Channel