F1, Austria mbetet pas. Ja vlerësimet për pilotët

10/07/2017 00:00

Çmimi i Madh i Austrisë rezultoi triumfues për Mercedesin, edhe pse me dy fytyra: nga njëra anë Hamilton që u penalizua me 5 pozicione në nisje për shkak të ndërrimit të kambios, e nga ana tjetër Bottas, i cili siguroi si “pole position”, ashtu edhe fitoren në garën e së dielës.

Bottas 9 – Që piloti finlandez është shumë i zoti, kjo dihej. Por tani është kthyer në një garanci për Mercedesin, teksa shfaqet tepër i aftë për t’u shfaqur pikërisht në momentet e vështira të Hamilton. Britaniku gaboi në xhiron vendimtare në provat zyrtare, por për skuderinë gjermane nuk kishte asnjë problem, pasi “pole position” u sigurua nga finlandezi. Hamiltonit iu desh të nisej nga vendi i tetë, e sërish gjithçka u duk e qetë në kampin gjerman, pasi përpara kishin Bottas që ruante ritmin, krijoi distancën me Ferrarin e Vettelit, thuajse u arrit në fund, por luftoi fort dhe triumfoi. E çfarë duhet të bëjë më shumë një pilot “zëvendësues”? Tashmë është kthyer edhe në pretendent për titullin kampion.

Ricciardo 8.5 – Australiani arriti të siguronte vendin më të ulët të podiumit me Red Bullin, teksa ishte 6 sekonda më i ngadaltë sesa Bottas. Por këtë arritje e siguroi duke i rezistuar një fundi dramatik nën sulmin e Hamilton, që duket se tentoi gjithçka për t’u ngjitur në pod, por pa mundur. E merituar për Ricciardon.

Vettel 8 – I nevojitej fitorja, por nuk e arriti dot ndoshta edhe falë asaj që ndodhi në provat kualifikuese për “pole position”. Megjithatë, piloti gjerman i Ferrarit garoi me një ritëm të çmendur deri në metrat e fundit të Çmimit të Madh të Austrisë.

Grosjean 7.5 – Një garë e çmendur për të, qoftë me duelet e fillimit të saj, ashtu edhe me distancën jo shumë të madhe ndaj tri skuderive më të mëdha, si Mercedes, Ferrari apo edhe Red Bull.

Hamilton 7 – Një garë e kushtëzuar nga penalizimi në nisje që mori si pasojë e ndërrimit të kambios. Por gjithsesi një garë e vështirë, e ndikuar edhe nga problemet me konsumin e gomave dhe përpjekjet e vonshme për të rikuperuar sa më shumë pozicione.

Perez 7 – Një pilot që e ka treguar shpesh se është i vështirë të dublohet. Pengesa duket se u solli edhe Bottasit dhe Vettelit, pasi është një pilot që garon me ritëm të mirë dhe me autoritet.

Ocon 7 – Vijon të konfirmohet si një pilot me një ngjitje graduale, është inteligjent, më i përmbajtur sesa në Baku, por edhe tërësisht i besueshëm për skuderinë e tij.

Massa 7 – Ishte piloti që rikuperoi më shumë vende. U nis nga vendi i 17 dhe e përfundoi garën në vendin e 9. Këtu duket se shfaqi më në fund edhe kualitetin e Williamsit, që kishte kryer modifikime në njëvendëshen e tij, e që nuk u shfaq gjatë provave.

Stroll 7 – Kolegu besnik i Massës, i cili u rendit në vendin e 10 pa e tepruar në asnjë moment. Garoi me një maturi të admirueshme, e futet kështu për të tretën herë radhazi në zonën e pikëve.

Palmer 6.5 – Më në fund është rikthyer buzëqeshja në fytyrën e të riut Palmer. U rendit i 11-i me Renaultin e tij, përpara Hulkenbergut.

Raikkonen 6.5 – Finlandezi i Ferrarit lëshoi që në nisje përkundrejt Ricciardos, e në vazhdim u ankua edhe për disa probleme. Por në fund të garës nuk rezultoi të ishte mjaftueshëm reagues.

Mes pilotëve të tjerë spikasin Verstappen 6, që iu shmang një kaosi në një grup makinash, edhe pse nuk pati faj, si dhe Vandoorne 6, që ashtu si Alonso vuajnë shumë me një McLaren-Honda që thuajse nuk ekziston fare.

Top Channel