F1, Vettel: Kam besim, Ferrari është gati për në Silverstone

10/07/2017 00:00

Ferrari nuk ka më kohë të mendojë për vendin e dytë në “Zeltweg” të Austrisë, një garë që u mbyll me thuajse gjysmë sekonde pas Mercedesit, e tashmë ka çmontuar gjithçka për t’i transferuar në “Silverstone”, ku të dielën e ardhshme do të garohet sërish.

Sebastian Vettel ka zgjeruar me 6 pikë kryesimin e tij ndaj Lewis Hamilton, por ka nga ata që thonë edhe se ka humbur 7 pikë të tjera, për faktin që mbeti pas Valtteri Bottas.

E kur ferraristët thonë në kor se “duhej fituar në Austri”, kjo ndoshta vjen sepse ata e dinë që diçka duhej dhe mund të bëhej më mirë, por ndoshta fati nuk deshi.

Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të gjykohet gjithçka me negativitet. Fakti që e mbyllën garën për Çmimin e Madh të Austrisë gjysmë sekonde pas, do të thotë se “kokëkuqja” ka kapur më në fund hapin e “shigjetave të argjendta”, e që tashmë në provat për “pole position” apo në garë mund të luhet me çdo detaj të mundshëm, që nuk varen vetëm nga pilotët rivalë.

Mes këtyre detajeve është edhe zhvillimi. Të dielën, Ferrari do të zbresë në pistë njësinë e zhvilluar motorike, pikërisht në shtëpinë e Leëis Hamilton, për ta bërë ndoshta “SF70H” që të shpërthejë në kthesat e shpejta të “Silverstone”-it.

“Mezi pres të vijë gara e radhës. Besoj se atje mund të kënaqemi shumë”, është shprehur piloti gjerman, 4 herë kampion bote, i Ferrarit.

Vettel duket i kënaqur me atë që po bëhet me njëvendëshen e tij këtë sezon. “Makina është shumë e mirë dhe të gjithë djemtë në Maranello kanë bërë një punë të shkëlqyer. Aerodinamika, telajoja, të gjithë janë impenjuar pafundësisht. Do të shkojmë në Angli me besim të madh. Atje ka shumë kthesa të shpejta dhe, zakonisht, Ferrari ka shkuar mirë. Duhet të jetë një garë pozitive për ne”.

Top Channel