Spalletti e nis me fitore te Inter

09/07/2017 00:00

Interi i Luciano Spallettit ka debutuar sot ndaj austriakëve të Wattens, në miqësoren e zhvilluar në Brunico, ku zikaltrit po kryejnë fazën përgatitore.

Shumë lojtarë të rinj, veçanërisht në mesfushë dhe sulm, por sërish ekipi i Spallëtit ka arritur të marrë tre pikët, duke fituar 2-1, ndaj austriakëve.

Sulmuesi 18 vjeçar, Andrea Pinamonti kaloi zikaltrit në avantazh në pjesën e parë, me një goditje të bukur brenda zonës.

Në pjesën e dytë, Spalleti ndërroi të gjithë futbollistët, përveç Ranokias dhe nga kjo përfituan austriakët, duke barazuar rezultatin. Gjithsesi, zikaltrit shënuan golin e fitores, 4 minuta nga fundi, me anë të një tjetër 18 vjeçari, Rover.

“Jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve për të vënë në zbatim idetë e mia. Kishim shumë mungesa të titullarëve, ndaj u përqëndrova më shumë te faza mbrojtëse, ku mungesat ishin më të pakta”, tha Spalletti.

Trajneri i ri i zikaltërve dha mendimin e tij edhe për disa futbollistë të Interit, si dhe për afrimin më të ri, Borja Valero.

“Pinamonti është një djalosh i shkëlqyer dhe një futbollist i vlefshëm. Kondogbia është një futbollist i denjë për Interin, që mund të luajë në disa pozicione të mesfushës. Sa i përket Borja Valeros, është një futbollist i shkëlqyer që tifozët do ta duan shumë. Ai është gjithmonë konstant për nga mënyra se si stërvitet, si luan dhe sa angazhohet. Të hënën do të flas me Perisiç dhe uroj që të qëndrojë, sepse është një futbollist i rëndësishëm i yni, te i cili besojmë shumë”, u shpreh Spalleti.

Top Channel