Turi i Francës, Calmejane fiton etapën e 8

09/07/2017 00:00

Lilian Calmejane është fituesi i etapës së 8 të Turit të Francës, 187.5 km e gjatë.

Çiklisti francez, për të cilin ky është viti i dytë që garon në aktivitete të tilla si profesionist, e përshkoi këtë itinerar me kohën 4 orë, 30 minuta e 29 sekonda, duke lënë në vendin e dytë holandezin Gesink, me 37 sekonda më shumë, ndërkohë që në vendin e tretë u rendit një tjetër çiklist francez, Guillome Martin, me 50 sekonda më shumë se Calmejane.

Pretendentët kryesorë për fitimin e Turit preferuan të mos shpenzojnë shumë në këtë etapë, duke qenë se pozitat e tyre nuk rrezikoheshin.

Pas etapës së 8, renditja e përgjithshme vazhdon të kryesohet nga britaniku i “Team Sky”, Chris Froome, me 33 orë, 19 minuta e 10 sekonda. Në vendin e dytë është ende shoku i tij i skuadrës, Thomas, me 12 sekonda më shumë, ndërsa i treti është italiani Fabio Aru.

Alberto Contador dhe Nairo Quintana vazhdojnë të jenë respektivisht në vendin e 8 dhe të 9, me 52 dhe 54 sekonda më shumë sesa Froome.

Top Channel