Titulli i parë për Ferit Ketën

08/07/2017 00:00

Disa ditë pasi u shpall kampion Europe në kikboks në Gjermani, Ferit Keta ka mbërritur në Tiranë për t’iu rikthyer punës kokëulur si gjithmonë dhe për të treguar vlerat e tij vetëm në ring.

Kundërshtari i tij holandez, Roshel Gumulju ishte i pathyeshëm në karrierën e tij prej mbi 40 ndeshje në këtë kategori, deri kur u përball me Feritin, që i shkaktoi atij humbjen e parë pas 4 raundesh dhe vetë mori titullin e parë në karrierë.

“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, por u shpërblye puna ime me vëllezërit e mi Gjetanin dhe Ismailin. Atë mbrëmje kisha mbështetjen e shumë shqiptarëve dhe për këtë arsye isha i pathyeshëm”, thotë Feriti.

Si rrallëherë me sportistët shqiptar, Feriti stërvitet në Tiranë dhe ndeshjet së bashku me titujt i fiton jashtë vendit, gjë që është e anasjellta e të gjithë sportistëve të suksesshëm të vendit tonë. Edhe këtë titull ai e ka fituar për Gjermaninë, duke qenë se federata jonë dhe shteti, siç thotë vetë ai, nuk ka mundësi të organizojë aktivitet të tilla.

“Sigurisht që do të ishte shumë mirë që të organizonte edhe vendi ynë ndeshje të këtij niveli, por për momentin vetëm Gjermania na e jep këtë mundësi. Pavarësisht kësaj ne nuk e ndamë flamurin tonë këngët tona dhe gjithçka”, shprehet kampioni i Europës në Kikboks.

Ndërkohë, ndeshja e radhës që do të jetë për titullin botëror rreth fundit të vitit dhe vëllezërit Keta po përpiqen që këtë finale ta zhvillojnë në Shqipëri.

Top Channel