Verrati kërkon ndjesë: I lumtur te PSG

08/07/2017 00:00

Marco Verratti është rikthyer në Paris dhe ka premtuar se ndihet i lumtur dhe se do të vazhdojë të qëndrojë.

Mesfushori italian ka përgënjeshtruar fjalët e agjentit të tij dhe ka kërkuar ndjesë ndaj klubit, presidentit dhe tifozëve të PSG-së.

“Dua të kërkoj ndjesë për fjalët e agjentit tim. ato nuk janë fjalët e mia dhe as mendimet e mia, por një gabim që shpresoj të mos ndodhë më. I kërkoj ndjesë klubit, Presidentit dhe tifozëve të ekipit”, tha Verratti për kanalin zyrtar të klubit.

Futbollisti pati shprehur dëshirën për t’u larguar drejt Barcelonës, por klubi parizien nuk e miratoi këtë transferim.

Më herët agjenti i Verrattit u shpreh: “Nuk duan ta shesin. më kanë thënë se të lejosh Verratin të transferohet te Barcelona, është njëlloj si të largosh Tottin nga Roma”.

Verratti është në qendër të projektit të klubit të Parisit dhe drejtuesit e tij nuk kanë ndërmend ta shesin atë.

Këtë e pranoi edhe presidenti i Barcelonës kur tha se Parisi nuk ka ndërmend të shesë Verrattin dhe për sa kohë nuk ka një klauzolë, është e drejtë e tyre ta mbajnë.

Top Channel