“Wimbledon”, kualifikohen Djokoviç e Federer

07/07/2017 00:00

Novak Djokoviç dhe Roger Federer ndjekin shembullin e Rafael Nadal dhe Andy Murray, duke u kualifikuar për në raundin e tretë të “Wimbledon”-it.

Tenisti serb regjistroi një fitore të lehtë ndaj Pavlasek, teksa e mbylli sfidën me të me rezultatin 3-0.

Rezultati i seteve të fituara nga Djokoviç ishte 6-2; 6-2 dhe 6-1, gjë që tregon dominimin e tij në këtë përballje si dhe formën e mirë fizike që ai po përjeton. Kundërshtari i radhës për Djokoviç do të jetë Ernest Gulbis, i cili eliminoi argjentinasin Juan Martin Del Potro.

Roger Federer tregoi klasin e tij në sfidën me serbin Dusan Lajoviç, të cilin e mundi 3-0. Zvicerani hasi në rezistencën e Lajoviç vetëm në setin e parë, të cilin e fitoi me “tie break”, 7-6. Dy setet e tjerë ishin shumë të lehtë për 35-vjeçarin që i fitoi ato 6-3 dhe 6-2.

Në kampin e femrave, surpriza e ka emrin Karolina Pliskova, e cila u eliminua në raundin e dytë nga Magdalena Rybarikova, që e mbylli ndeshjen 2-1, me sete 3-6; 7-5 dhe 6-2. Ndërsa numri 1 i renditjes WTA, Angelique Kerber kaloi Kirsten Flipkens, duke e mundur atë 2-0, me sete 7-5 dhe 7-5.

Top Channel