Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit të Greqisë, pas seancave të gjata disamujore ka konkluduar për dhënien e 7 licencave kombëtare për televizionet e vendit.

Tetorin e kaluar, Këshilli i Shtetit, Gjykata e Lartë Administrative në Greqi kishte shpallur antikushtetues ligjin për licencat e kanaleve televizive kombëtare të miratuar nga qeveria, duke gjykuar se vetëm Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit ka kompetencë për të qenë rregullator i pavarur i industrisë televizive, e jo qeveria.

Kështu ai ka hedhur poshtë projektligjin e qeverisë “Tsipras”, që me një tender publik kishte dhënë 4 licenca kombëtare përkundrejt shumës prej 254 milionë euro.

Pas këtij zhvillimi janë dashur më shumë se 8 muaj për rregullimin e relievit televiziv në vend.

Ministri i Politikave Dixhitale, Telekomunikacionit dhe Informacionit, Nikos Papas ka theksuar se ky vendim është një hap i rëndësishëm për licencat kombëtare, që kanë vonuar për dekada në Greqi, duke privuar të ardhura të mëdha nga taksat për shtetin.

Gjithashtu, ai ka bërë thirrje që të fillojë sa më shpejt procedura e tenderit për lejet në fjalë, në mënyrë që shteti të sigurojë sa më shpejt të ardhurat e munguara.

Në Greqi, për mëse 27 vite, kanalet private nuk kanë paguar pothuajse asnjë taksë për funksionimin e tyre.

Kryeministri Tsipras, sapo erdhi në fuqi vendosi si bosht kryesor të politikave qeveritare, luftën kundër të ashtuquajturit “trekëndësh të korrupsionit”, lidhjet ndërmjet medieve, politikës dhe bankave, por u kritikua nga opozita dhe një pjesë e madhe e mediave, për mënyrën e zhvillimit të tenderit dhe numrin e licencave kombëtare.

Top Channel