Wimbledon, fitore të lehta për pretendentët

06/07/2017 00:00

Të mëdhenjtë e tenisit botëror vijojnë rrugëtimin e tyre në turneun Wimbledon.

Andy Murray u kualifikua për në raundin e tretë pasi mposhti me lehtësi Dustin Brown me rezultatin 3-0. Kampioni në fuqi i turneut ishte superior ndaj gjermanit dhe i mbylli setet 6-3, 6-2 dhe 6-2, duke entuziazmuar të gjithë tifozët të cilët shpresojnë që 30-vjeçari të bëhet i pari tenist britanik që mbron titullin që nga viti 1930.

Nuk hasi shumë vështirësi në këtë raund as Rafael Nadal, i cili luan në këtë edicion të Wimbledon si numri 4 i botës, edhe pse në renditjen e përgjithshme ai është i dyti. Tenisti spanjoll, 2 herë fitues i këtij eventi mundi në raundin e dytë Donald Young me rezultatin 3-0. Dy setet e parë ishin relativisht të lehtë për 31-vjeçarin që i mbylli 6-4 dhe 6-2. Në setin e tretë, Young bëri më shumë rezistencë, por Nadal arriti të fitojë edhe këtë fraksion 7-5.

Në kampin e femrave, u kualifikuan Victoria Azarenka dhe Simona Halep. Tenistja bjelloruse mundi Vesninën në ndeshjen e saj 2-0, me sete 6-3 dhe 6-3, ndërsa Halep eliminoi brazilianen Maia teksa e mposhti në 2 sete 7-5 dhe 6-3.

Një vend për në raundin e tretë siguroi edhe Venus Williams, e cila vuajti jo pak me kinezen Wang, të cilën e mundi 2-1, ndërkohë që Kvitova i tha lamtumirë Wimbledon-it pasi humbi kundrejt Brengle me rezultatin 2-1.

Top Channel