Me një qëndrim sfidues, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç i tregoi Komisionit Europian të mos përzihet në mosmarrëveshjet kufitare të Zagrebit me Slloveninë, sepse nuk ka kompetencë në çështje të tilla.

Të martën, Komisioni u kërkoi të dy vendeve anëtare të bllokut të vënë në jetë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, që i jep Lubjanës qasje në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve kroate. Por Kroacia nuk pranon t’i bindet një vendimi, që sipas saj nuk ka forcë ligjore.

Plenkoviç kujtoi se, Zagrebi u tërhoq nga procesi i Arbitrazhit në vitin 2015, sepse ai ishte – sipas tij, – “i ndotur e i kompromentuar” në mënyrë të pakthyeshme.

“Do të ishte mirë nëse Komisioni qëndron brenda kornizës së kompetencave të tij, sepse te gjykimi i kufijve del paksa jashtë linjës së vet. Ka vende, të cilave u janë dashur edhe 100 vite për të zgjidhur problemet kufitare. Tani vonë e tha ministri i Jashtëm i Belgjikës, që bisedimet e kufirit me Holandën vazhdojnë prej vitesh. Megjithatë, kjo çështje nuk ka zënë vend në axhendën e Komisionit Europian”, tha Andrej Plenkoviç, kryeministër i Kroacisë.

Të dyja ish-republikat jugosllave, që pavarësinë e siguruan në vitin 1991, kërkojnë një rrip të ngushtë ujor në veri të Gjirit të Piranit. Sllovenia, me një vijë bregdetare prej vetëm 46 km, pretendon se qasja e saj në ujëra ndërkombëtare rrezikohet, sepse Kroacia, me brigje që shtrihen përgjatë 1.700 km, këmbëngul që kufiri detar të kalojë në mes të gjirit.

Vendimi i gjykatës me seli në Hagë është që problemet të zgjidhen sipas regjistrave të vjetër kadastralë, e i lejon Lubjanës krijimin e një korridori detar 16 km të gjatë, i cili t’i sigurojë daljen në detin Adriatik, por nuk është e qartë sesi do të arrijë të implementohet në realitet.

Pretendimi i Kroacisë, se procesi i Arbitrazhit është njollosur, u ngrit pasi në vitin 2015 u mësua se një zyrtar slloven e kishte diskutuar çështjen me një anëtar të komisionit të Arbitrazhit. Lubjana nuk i mohon akuzat, megjithatë, sërish këmbëngul që Zagrebi t’u qëndrojë kushteve të marrëveshjes.

Top Channel