Interi i ri nis pa fytyra të reja

06/07/2017 00:00

Interi ka nisur sezonin me grumbullimin në Riscone di Brunico.

Dita e parë e punës si trajner i zikaltërve edhe për Luciano Spallettin, i cili do të donte që klubi të kishte bërë më shumë në merkato.

“Do të ishte bukur të kisha skuadrën të kompletuar që në ditët e para, që të punonim menjëherë për konceptet e lojës dhe për atë që dua të shikoj në fushë”, deklaroi ish-trajneri i Romës rreth një muaj më parë, kur u prezantua në Appiano Gentile.

Sot, duke parë listën e 25 lojtarëve që do të udhëtojnë në Insbruk për stërvitje, lojtarët e rinj janë Padelli, Zaniolo dhe Odgaar. Pra, Interi nuk ka bërë asnjë goditje në merkato deri tani, por ka punuar për largimet në mënyrë që të plotësojë parametrat e Fair Play-t financiar.

Por, Spalletti ka besim: “Jemi të motivuar. Kemi një skuadër të mirë që duhet ta përmirësojmë. Kemi dy drejtorë sportivë nga më të mirët që ekzistojnë”.

Top Channel