Champions, “minatorët” eliminohen nga gjysmëprofesionistët

04/07/2017 00:00

Trepça ’89 ishte ekipi i parë kosovar që debutonte në një kompeticion europian, pas njohjes së Kosovës nga UEFA dhe FIFA. Por përfaqësimi europian i klubit nga qyteti i Mitrovicës, që njihet ndryshe edhe me pseudonimin “minatorët”, për shkak të kombinatit metalurgjik të Trepçës, ka pësuar një disfatë të dyfishtë ndaj një ekipi gjysmëprofesionist, siç është Vikinguri i Ishujve Faroe.

Pas humbjes në transfertë 2-1, kampionët e Kosovës pësuan një tjetër goditje në Mitrovicë, ku u mposhtën 1-4, një rezultat që i jep automatikisht lamtumirën edhe ëndrrës për të vijuar më tej në turet kualifikuese të Champions League.

Pjesën e parë, “minatorët” ishin më këmbëngulës dhe tentuan disa herë të shënonin, edhe pse loja e tyre dukej të ishte individuale e jo lojë grupi. Blerand Kurtishaj, përveçse pati një mundësi të mirë shënimi, u bë protagonist edhe për keq, duke u ndëshkuar me dy kartonë të verdhë brenda dy minutash, për të shkuar në dhomat e zhveshjes shumë herët.

Inferioritetin numerik e shfrytëzuan miqtë ishullorë, që në minutën e 37 arritën të shënonin golin e avantazhit me anë të Sorin Vasili Anghel. Por pak para përfundimit të 45 minutave të para, erdhi edhe një autogol i Islamit dhe miqtë e Vikingurit e panë veten në një pozicion komod.

Pjesa e dytë nisi sërish me gol për ishullorët, këtë herë me Gunnar Vatnhamar, pas një gafe për largimin e topit në mbrojtje nga Izmaku i Trepça ’89. Shpërfytyrimi i skuadrës kosovare do të vijonte edhe më tej, kur Hans Lervig gjente rrugën e rrjetës për herë të katërt.

Golin e nderit për ekipin nga Mitrovica e shënoi Florent Hasani në minutën e 60, por ky gol ishte sa për statistikë, pasi me rezultatin e përgjithshëm 6-2, në turin pasardhës kualifikohen ishullorët e Vikingurit.

Top Channel