Prokuroria Speciale Publike në Maqedoni kërkoi shumë arrestime, por nuk ia doli të burgosë askënd.

Pas disfatës në Gjykatën Penale, Prokuroria Speciale ka vendosur që “zeron” e arrestimeve ta përmirësojë sa të mundet në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e shkallës së dytë do të jetë në fokus të medieve dhe opinionit në Maqedoni gjatë ditëve të ardhshme, ku do të rishikohen  vendimet e Gjykatës Themelore “Shkupi 1”, e cila vendosi që të mos japë masën e paraburgimit për asnjë nga ish-zyrtarët e lartë, siç kërkoi Prokuroria.

Nga ekipi i prokurores speciale, Katica Janeva njoftuan se po përgatiten ankesat ndaj masave të buta të Gjykatës Penale. Sipas procedurës, Gjykata e Apelit ka dy ditë kohë që të vendosë, pas ankimimit të Prokurorisë.

Kjo e fundit u zhgënjye mjaft nga vendimi i Gjykatës Penale, e cila thjesht i mori pasaportën ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe nuk urdhëroi paraburgimin e tij, siç kishte kërkuar organi i akuzës.

Vendim i njëjtë u mor edhe për bashkëpunëtorët e tij të afërt, Mile Janakieski, Gordana Jankuloska, Kiril Bozhinovski dhe Martin Protugjer. Paraburgimit i shpëtoi edhe ish-shefi i Policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ndërsa mediet maqedonase spekulojnë se ky ishte një prej arrestimeve të kërkuara më fort nga Prokuroria Speciale.

Top Channel