Baristi nga Koreja e Jugut, Lee Kang-bin e ka çuar artin e kafesë në një tjetër nivel, me imitimet e pikturave të famshme që ai bën mbi shkumën apo kremin që gjendet në filxhan.

Me penelë të vegjël dhe lugë, 26-vjeçari Lee ka rikrijuar kryevepra si “Nata me yje” e Vincent van Gogh, apo “Ulërima” e Edvard Munch, në kafenenë e tij në qendër të Seulit.

Rezultati i procesit që zgjat rreth 15 minuta është një filxhan kafeje me pamje unike, që kushton 10 mijë ëon, thuasje 8 dollarë, por që i ka sjellë Lee mijëra klientë, por edhe më shumë fansa në internet.

“Një mbrëmje pikturova ‘Natën me yje’ dhe piktura e famshme dukej shumë bukur mbi kafè. Më pas, shumë njerëz nisën ta porosisnin ashtu kafenë. Klientët zakonisht më kërkojnë të pikturoj veprat e artit që ata pëlqejnë”, tha Lee Kang-bin, barist.

Lee nuk ka bërë kurrë shkollë pikture, por zotësia e tij në artin e kremit, siç quhet tashmë, është mjaft e qartë. Klientët në kafenenë e tij e pëlqejnë shumë artin dhe mjaft prej tyre thonë se nuk mund ta kalojnë ditën pa një pikturë të vogël në filxhanin e kafesë.

Top Channel