Ekspozitë në nder të Christian Dior

04/07/2017 00:00

Yje të ekranit e të botës së “shoëbizz”-it, si Natalie Portman, Cara Delevigne dhe Gemma Arteton, ishin në mesin e personave të famshëm të ftuar në Muzeun e Arteve Dekorative të Parisit, për çeljen e ekspozitës së re në nder të Christian Dior.

Shfaqja ishte një kremtim që i bëhej 70-vjetorit të shtëpisë së njohur të modës. Të pranishme në sallë, por edhe në festën e zhvilluar më pas, kanë qenë edhe Zonja e Parë e vendit, Brigitte Macron, si dhe kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo.

Ekspozita vihet në gjurmët e historisë 7-dekadëshe të shtëpisë së modës, të themeluar nga dizajneri ikonë Christian Dior. Ajo ndjek më pas karrierën që pati aty Yves Saint Laurent, Marc Bohan, Gianfranco Ferré, John Galliano, Raf Simons, e në fund fokusohet te gruaja e parë në duart e së cilës janë sot frerët e kompanisë, Maria Grazia Chiuri.

Mbi 300 veshje “haute couture”, të krijuara që nga viti 1947 e deri në ditët tona, prezantohen aty në krah të skicave, fotografike, aksesorëve, letrave, dorëshkrimeve e veprave të artit, që kanë shërbyer si frymëzim për dizajnerët duke krijuar një dialog mes tyre dhe kontekstit kulturor.

Kuratorët Florence Muller dhe Olivier Gabet kanë arritur pas një pune të gjatë të mbledhin bashkë krijime të gjendura nëpër muze të ndryshëm ndërkombëtarë, e i kanë sistemuar bashkë me koleksionin ekzistues në mënyrë kronologjike dhe tematike njëkohësisht.

Muzeu i Arteve Dekorative në Paris e pati mbajtur edhe në vitin 1987 një shfaqje retrospektive për Diorin, të përqëndruar te 10 vitet e para të ekzistencës së saj. Këtë herë, veshjet dhe sendet e tjera janë shpërndarë në një sipërfaqe shumë më të madhe, e llogaritur në gati 3.000 metra katrorë. Ekspozita do të hapet për publikun e gjerë më 5 korrik, e do t’i mbajë dyert e saj të çelura deri 7 janarin e vitit 2018.

Top Channel