Incidentin me Hamilton, Vettel kërkon ndjesë

04/07/2017 00:00

Çështja Vettel për incidentin me Hamilton në Baku mbyllet përfundimisht. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit vendosi që të mos  i japë tjetër dënim pilotit gjerman përveç tij “stop&go” prej 10 sekondash gjatë garës.

Vettel zhvilloi një takim me Jean Todt në Paris pikërisht ditën e 30 vjetorit të tij të lindjes, ku ai mori përsipër të gjitha përgjegjësitë duke kërkuar ndjesë, gjë që ndikoi edhe në vendimin e FIA për të mos e ndëshkuar dhe kjo theksohet edhe në komunikatën e këtij organizmi.

Në të njëjtën kohë, Sebastian Vettel premtoi që në 12 muajt e ardhshëm të impenjohet në iniciativat edukuese të FIA. Ndërkaq, ka ardhur edhe reagimi i Ferrarit pas takimit të Vettel me Jean Todt. Drejtuesit e “kokëkuqes” italiane u shfaqën të kënaqur që Vettel kërkoi ndjesë dhe shtuan se do të mbështesin çdo inisiativë të FIA për të përmirësuar akoma më shumë imazhin e sportit

Ndërsa Vettel ishte në ankth për takimin me Todt, shoku i tij i skuadrës, Kimi Raikkonen vendosi t’i bëjë surprizë për 30 vjetorin e lindjes. I frymëzuar nga pseudonimi i tij ‘Iceman’, finlandezi i bëri një dhuratë të veçantë Vettel, një bust akulli ku bënte edhe urimin e tij, një dhuratë që u pëlqye nga piloti gjerman.

Top Channel