Turi i Francës, Kittel fiton etapën e dytë

03/07/2017 00:00

Marcel Kittel është fituesi i etapës së dytë të Turit të Francës Dusseldorf-Liege, 203.5 km të gjatë.

Ishte një etapë ku nuk munguan incidentet, siç ishte ai që ndodhi 30 km përpara fundit të etapës, kur një grup i madh çiklistësh u rrëzuan dhe mes tyre ishte favoriti kryesor për të fituar Turin, Chris Froome.

Gjithsesi, britaniku i ndihmuar edhe nga disa prej shokëve të tij të skuadrës së “Team Sky” arriti të ngrihej dhe të hynte sërish në garë për t’u bashkuar me grupin e madh.

Më pas, në Liezh, rivaliteti për fitoren e etapës u bë i madh dhe gjithçka u vendos nëpërmjet sprintit final, ku ai që mori më të mirën ishte Marcel Kittel, që kaloi i pari vijën e finishit. Në vendin e dytë u rendit francezi Arnaud Demare, ndërsa vendi i tretë i takoi gjermanit Andre Greipel.

Pas etapës së dytë, renditjen e përgjithshme të Turit të Francës, duke mbajtur fanelën e verdhë, e mban britaniku Thomas i “Team Sky”. I dyti është zvicerani Kueng me 5 sekonda më shumë, ndërsa në vendin e tretë është Kittel.

Chris Froome për momentin gjendet në vendin e 6, me 12 sekonda më shumë se bashkëkombasi dhe shoku i tij i skuadrës, Thomas.

Top Channel