Takimi në Bruksel, Thaçi-Vuçiç angazhohen për një fillim të ri Kosovë-Serbi

03/07/2017 00:00

Kosova dhe Serbia do të përgatiten për një fazë të re bisedimesh. Marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen pa u vonuar.

Takimi joformali i presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, shënojnë një hap para kalimit të bisedimeve në nivel presidentësh pas ngecjeve dhe tensioneve të shumta.

Kjo është hera e parë që krerët e Kosovës dhe Serbisë takohen pas akuzave të shumta Prishtinë-Beograd.

“Kjo fazë e re e dialogut do të jetë në të mirë të dy vendeve, të popujve tanë, do të mbyllë kapitullin e errët të së kaluarës dhe do të hapë një perspektivë të sigurt për të ardhmen europiane”, u shpreh pas takimit Hashim Thaçi, President i Kosovës.

“Vazhdimi i dialogut do të ndodh dhe për këtë nuk ka ndryshim. Por, kemi biseduar për një fazë përgatitore për bisedimet dhe për të dhënë përgjigje se si do të shohim marrëdhëniet tona në disa vite dhe për këtë natyrisht ne duhet të bisedojmë me serbët në Serbi dhe ata me shqiptarët në Kosovë e Metohi dhe të flasim edhe ne më shpesh”, tha Vuçiç.

Në Kosovë këto takime nuk janë pritur mirë. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës është thënë se Thaçi nuk mund të drejtojë bisedimet dhe është ftuar opozita të bashkohet kundër.

Për serbët vazhdimi i dialogut dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të njohur si “Zajednica” është gjëja më e rëndësishme.

Top Channel