Atletico kërkon të mbajë ende Simeonen

03/07/2017 00:00

Atletico Madrid dëshiron të mbajë në pankinë Diego Pablo Simeonen përtej vitit 2018.

Sipas asaj që publikohet në median spanjolle, tashmë drejtuesit e “Los Colchoneros” kanë nisur bisedimet me trajnerin argjentinas për ta bindur atë që të vazhdojë të jetë pjesë e klubit iberik. Rezultatet e shkëlqyera të viteve të fundit të Atleticos nën drejtimin e Simeones kanë bërë që drejtuesit e kësaj skuadre të mendojnë për një kontratë me të deri në vitin 2020.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit bardhekuq janë gati të bëjnë çdo sakrificë për të vënë në dispozicion të Simeones lojtarët më të mirë, në mënyrë që Atletico të vazhdojë të jetë një rival i fortë për Realin e Madridit dhe Barcelonën. Mësohet se Diego Costa është shumë pranë rikthimit te Atletico, ndërkohë që pritet edhe ardhja e Vitolos, por që të dy këta lojtarë për 6 muaj nuk do të mund të luajnë për shkak të bllokimit në merkato të Atleticos.

Për më tepër, Atletico do të kërkojë rinovimin e disa prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës për vitet e ardhshme dhe askush nuk është në gjendje ta bëjë më mirë këtë sesa Simeone.

Top Channel