220 mijë fansa në stadium për Vasco Rossin

30/06/2017 00:00

Të gjithë të fiksuar me Vasco Rossin. Mbi 220 mijë vetë në Modena Park, mbi 5 milionë e gjysmë para ekraneve të televizionit që transmetoi koncertin.

Vasco Rossi festoi 40 vite dashuri me skenën, publikun dhe emocionet. Një pafundësi njerëzish për një koncert rekord. 40 këngë për 40 vite. Një performancë tre orë e gjysmë e gjatë, madhështore dhe imponuese.

Ashtu si edhe vetë skena, 130 metra e gjatë dhe si 1500 metrat katrorë ekrane në lëvizje që i lejonin edhe atyre që ndodheshin më larg të gëzonin spektaklin që më shumë se sa tek efektet speciale, përqendrohej tek Vasco dhe këngët e tij, tek një histori për tu festuar jo thjeshtë si sukses i një artisti por edhe si një ritual kolektiv.

Koncerti nisi në orën 21 të mbrëmjes dhe Vasco Rossi mbërriti me një helikopter. Mirësevini në festën e Modena Park, mirë se vini në koncertin që nuk do të ketë kurrë fund. Mirësevini në legjendën, rekordin botëror, ishte përshëndetja e Vaskos për të pranishmit që prisnin prej orësh e madje edhe prej ditësh, pa u dekurajuar nga moti i nxehtë apo masat e sigurisë.

Vasko ftoi publikun të mos kishte frikë dhe të mos thyhej para terrorizmit. Ky është një koncert kundër frikës tha ai e më pas ishte radha e sukseseve më të mëdha të shumë viteve karrierë, ndërsa në finale, fishekzjarrë.

Top Channel